April 12, 2021 7:46 pm
Now Reading
Fodullëku i Edi Ramës, Parimet Social-Ekonomike Rajonale Dhe Aspiratat e ‘Turmës’

Fodullëku i Edi Ramës, Parimet Social-Ekonomike Rajonale Dhe Aspiratat e ‘Turmës’

Nga Ilir Hysa

Takimi i tretë i Mini-Shengenit Ballkanik i mbajtur mes protestave në Tiranë më 20-21 dhjetor 2019 ka nxjerrë sërisht në pah pakënaqësinë e madhe që ka pllakosur pjesën më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare, brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë londineze. Mini-Shengeni, apo Marrëveshja Rajonale që përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë, synon krijimin e kushteve lehtësuese për bashkimin e tregjeve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Natyrshëm mund të lindë pyetja: Çfarë nuk shkon? Shkurt, një sërë gjërash.

Së pari, pakënaqësia buron nga fakti se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me egoizmin e tij karakteristik për të projektuar staturën e një lideri të madh ka nxituar të puthet sërisht me Aleksandër Vuçiçin në kurriz të shqiptarëve. Aq i nxituar ka qenë Rama saqë i konfrontuar nga mediat në lidhje me mohimin që Serbia i bën krimieve të luftës ka thënë se ai sheh më larg sesa “turma”, siç i ofendon ai jo rrallëherë shqiptarët. Duke qenë se ai, Rama, e sheh veten si Hyun tonë, nuk ka marrë mundimin të kërkojë bërjen e ndonjë studimi të efekteve ekonomike, sociale dhe politike të Mini Shengenit Ballkanik? Ndonëse fokusi i marrëveshjes është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, nuk ka dyshim se efekti i marrëveshjes shkon më larg. Integrimi rajonal ka potencial të prekë fusha të tjera si bashkëpunimet kulturore, shkencore, etj.

Për të qenë të qartë, nuk ka dyshim se heqja e barrierave tregtare e njerëzore krijon mundësi të reja të zhvillimit ekonomik në rajon. Pra, Rama nuk duhet kryqëzuar për atë që po bën por për kohën dhe mënyrën se si po e bën. Më tej, hapjet e tregjeve nuk vijnë pa dhimbje. Ndonëse heqja e barrierave rrit mirëqenien në përgjithësi, integrimi prodhon të fituar dhe të humbur. Ndaj lind pyetja: Me çfarë kostoje vjen Mini-Shengeni Ballkanik? Me siguri që defiçiti i madh tregtar i Shqipërisë të bën të mendosh: Kush do ti mbrojë prodhuesit e vegjël shqiptarë nga konkurenca rajonale? Largimi i vazhdueshëm i qytetarëve të zhgënjyer nga Shqipëria është treguesi më i qartë i krizës së besimit që ka mbërthyer vendin. Si do të kontribuojë Mini-Shengeni Ballkanik për të kthyer shpresën? Për nga optika, çfarë u bë në Tiranë këtë fundviti i ngjan më shumë një pazari të pistë sesa një marrëveshjeje të mirëmenduar rajonale. Sigurisht, prania e Aleks Sorosit në Tiranë nuk i largon dyshimet, përkundrazi.

Së dyti, ndonëse problematik, aspekti ekonomik nuk është shqetësimi kryesor. Pazaret e Ramës vijnë me një kosto të madhe për Kosovën. Dhe ndonëse ne nuk kemi arsye të izolohemi, duhet të kuptojmë se ardhmëria jonë duhet bazuar më shumë në kombin e fuqizuar sesa në globalizëm. Nëse deri sot ka patur ndonjë fije dyshimi për këtë, skepticizmi tashmë u venit me solidaritetin emocionues të botës së mrekullueshme shqiptare pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Me këtë marrëveshje Rama ka izoluar Kosovën.

Së treti, reputacioni ynë si njerëz krenarë dhe liridashës nuk duhet ta lejojë as izolimin dhe as nëpërkëmbjen e Kosovës. Në fund të fundit, çfarë vlere ka harmonia me të tjerët kur nëpërkëmbim tanët?! Ku është morali? Jo se zoti Rama ka treguar ndonjë moral të shëndoshë deri sot. Jo, përndryshe, ai do të kishte kërkuar ndjesë për faktin se i ati, Kristaq Rama, dërgoi në litar një poet, mësues e intelektual. Ai i mori jetën Havzi Nelës. Por ndjeshmëria nuk është tipar dallues i Ramës. Me një fodullëk karakteristik ai madje po e fajëson Kosovën për zgjedhjen e vetëizolimit, ndërkohë që varrezat masive ende tundojnë shqiptarët e Kosovës, nëna djemhumbura e motra të pikëlluara ende po presin për ditën kur do të kenë një varr ku të lotojnë. Nëse Rama do të kishte moral të shëndoshë nuk do të kishte thënë as se “nëse Kosova ka nevojë për respekt, integrim, zhvillim ekonomik, kjo është rruga”. Nëse do të kishte moral, ai nuk do të kishte thënë as se vendosja e kushteve është e papranueshme. Po mosnjohja e Kosovës së pavarur nga Serbia a nuk ishte kusht?

Së fundmi, Rama po thotë, sikurse edhe për çeshtje të tjera, se faji është yni. Ne, sipas tij, nuk i kuptojmë të gjtha yçklat e marrëveshjes dhe kjo na bën naivë dhe të padenjë për të komentuar rreth një zhvillimi të tillë. Sipas qeverisë, afrimi është mënyra e vetme e zbutjes së urrejtjes shumëshekullore, dhe kjo është e vërtetë. Por pse sërisht duhet që agresorit ti lëshohet pe, ndërkohë që plagët e pambyllura mirë duhen hapur sërisht?! A nuk na thua z. Rama?

Scroll To Top